Fotografi i Obamës ia publikoi foton e luftës, rrëfehet Rasim Mehmeti

U fotografuan nga fotografi personal i ish-presidentit amerikan Barack Obama, Pete Souza, në kufirin e Bllacës, në ngjarjen e njohur si “Eksodi i Bllacës” në vitin 1999.

Rasim Mehmeti me dy djemtë, njërin 3-vjeçar e tjetrin 7 vjeç, ka treguar për Gazetën Express momentin e shkrepjes së fotografisë dhe përjetimet e familjes së tij gjatë kohës së luftës në Kosovë

Rasim Mehmeti i cili në krahët e tij mban të birin Durimin dhe me njërën dorë shtrëngon djalin tjetër Beharin, ka rrëfyer për Express pikërisht momentin kur është shkrepur fotografia, ku ai po kërkonte nga ushtria maqedonase që të bashkohej me bashkëshorten dhe fëmijët e tjerë.

“Në atë kohë kam qenë 37-vjeçar, edhe pse kanë kaluar 20 vjet e mbaj në mend shumë mirë atë moment. Aty ku shihemi në fotografi kam qenë duke iu thënë ushtarëve maqedonas se dua të bashkohem me gruan dhe fëmijët tjerë. Ushtria na kanë ndalë dhe na kanë thënë të hipim në autobus, sepse të gjithëve do të na çojnë në një vend”, tregon Mehmeti.

Por, familjes Mehmeti nuk i doli ashtu si i thanë. Ushtria i ndau. Gruan dhe tre fëmijët tjerë i çuan në Turqi, ndërkaq Rasimin me dy djemtë në Stankovac.

“Na kanë çua me autobus, por na kanë nda me gruan dhe fëmijët tjerë. Na kanë thënë se të gjithëve kanë me na çua në një vend, por nuk na çuan, gruan me fëmijë prej Bllacës drejt me aeroplan për në Turqi ndërsa mua me dy djemtë tjerë në Stankovac”, ka treguar ai.

Ai ka treguar se si gruaja e tij ka folur për mediat turke ku ka rrëfyer tërë ngjarjen, e më pas ka ardhur deri te bashkimi i familjes Mahmeti.

“Gruaja ka folur për një televizion në Turqi dhe ua ka tregu ngjarjen, ata e kanë pru në Stankovac letrën na kanë njoftuar se gruaja me fëmijë është në Turqi. Pas disa ditësh kam shkuar edhe unë me fëmijët në Turqi, pas tre muajve jemi kthyer në Kosovë”, ka treguar Rasim Mehmeti për Express.