Kosovari nxjerr nga garazha BMW-në unike 47 vjeçare

BMW

Studiuesi dhe publicisti, Daut Dauti ka nxjerrë nga garazhi veturën e tipit BMW të vitit 1972, e cila është mjaft unike. “Ka ma shumë se 7 vjet qe se kam prekë me dorë e as se kam kqyrë me sy”, ka shkruar i zoti i veturës mbi fotografitë ku shihet vetura e mbuluar me pluhur e rrjeta merimangash.

Ai fotografitë e veturës i bëri publike në llogarinë e tij “Facebook” duke e përshkruar gjendjen e veturës dhe reagimet e fqinjëve të cilët mezi kanë pritur ta shohin BMW-në e tij.

“Për mua kerret janë të bukura sikur gratë.

Secili apo secila ka sharmin dhe karakterin e vet.

Kerri im është sikur Sophia Loreni. Sa më i vjetër, aq më i bukur dhe më i vlefshëm.

N’daç shikoje para, n’daç pas apo anash, ka pamje joshëse dhe t’a mbushë syrin me lezet.

Unë nuk marrë vesh shumë se si funksionojnë kerret e as gratë por i vlerësoj të dyjat.

Mundohem t’i kuptoj parimet e funksionimit dhe t’ju rri gati e ta kryej atë që më takon mua.

Në këtë aspekt, mendoj se unë kam bërë një hap më shumë se Jack London, shkrimtari i famshëm amerikan dhe adhuruesi i flaktë i automobilave që kishin nisur ta pushtonin botën në fund të jetës së tij”, ka shkruar ndër të tjerash Dauti.