Mediat e huaja raportojnë për heqjen e taksës: Paralajmërojnë rifillimin e bisedimeve me Serbinë

    Gjatë ditës së sotme kryeministri i Kosovës Albin Kurti, mbajti një konferencë për media ku bëri njoftimin rreth vendimit të tij për heqjen e taksës 100 përqind të vendosur për mallrat serbe, e që nga mediat e huaja po vlerësohet si në një veprim i vullnetit të mirë që synon të ndihmojë në rifillimin e bisedimeve të pezulluara me Serbinë, për normalizimin e marrëdhënieve, shkruan Gazeta Metro.

    Përveç reagimeve vendore, nga zyrtarët e qeverisë së kaluar, Kurti u pyet edhe rreth presionit që kishte nga ndërkombëtarët, dhe ndikimin që ata ushtruan që ai të merrte këtë vendim. E ky vendim nuk kishte se si të kalonte pa u përmendur edhe në mediat e huaja.

    Daily Mail dhe Associated Press ishin vetëm disa nga mediat e huaja të cilat raportuan rreth heqjes së taksës, duke e cilësuar si veprim të vullnetit të mirë që synon rifillimin e bisedimeve me Serbinë.

    Kryeministri i ri i Kosovës tha të enjten se qeveria e tij do të heqë pjesërisht një tarifë 100% të vendosur për mallrat serbe, në një veprim të vullnetit të mirë që synon të ndihmojë në rifillimin e bisedimeve të pezulluara me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, raportoi Daiily Mail, The Courier, New York Times, Just Dial, Infotel, The Washington Post.

    Mediat e huaja përmendën edhe kushtet apo pikat që Kurti kërkoi si këmbim ndaj Serbisë.

    ”Në këmbim, Kurti i kërkoi Serbisë që të ndalë përpjekjet për t’i marrë vendet që e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur për të revokuar njohjen e tyre. Ai gjithashtu i bëri thirrje Beogradit të heqë kufizimet për produktet dhe shërbimet nga Kosova. Kurti tha se nëse ai merr një përgjigje pozitive nga Serbia, Kosova do të heqë tarifën 100% për të gjitha mallrat serbe që nga 1 prilli.”

    “Ky hap i parë nga ne është një shenjë e vullnetit të mirë dhe unë pres të njëjtën gjë nga Beogradi,” tha ai në një konferencë shtypi.

    Tarifa 100% për mallrat serbe dhe boshnjake u vendos në nëntor 2018 për të kundërshtuar përpjekjet e Serbisë për t’iu bashkuar organizatave ndërkombëtare. Në atë kohë, qeveria në Prishtinë thoshte se do të hiqej vetëm nëse Beogradi e njeh Kosovën.