Ndizet alarmi për Qeverinë Kurti: Ky është rreziku i madh që i kanoset Kosovës

    Albin Kurti - Kryeministër i Republikës së Kosovës

    “Nuk ishte rastësisht që nuk u takuan Grenell dhe zyrtarët tjerë amerikan me Albin Kurtin në Gjermani, prandaj unë po druaj që duke parë këtë zvarritje, të përgatisin SHBA-të një platformë të tyre të negocimit dhe të ofrojnë modelin e marrëveshjes sikur që vepruan edhe me çështjen e hekurudhave dhe të autostradave, kur i morën për të firmosur marrëveshjet njerëz që nuk ishin kompetentë dhe nuk kishin të bënin fare me ato çështje, kurse nga pala serbe morën të ashtuquajturin ministër serb për Kosovën, drejtorin e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, dhe i nënshkruan ato marrëveshje”, thotë profesor Jeton Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

    Reciprociteti, si formë e kundërvënies ndaj veprimeve dhe qëndrimit anti Kosovë të shtetit të Serbisë, nga pala kosovare për ta zëvendësuar tarifën-taksen 100%,, sipas profesorit universitar, doktor Jeton Kelmendi, akoma po duket të jetë një projekt-strategji e pa analizuar dhe e pa përpunuar nga koalicioni qeverisës LVV-LDK, e të mos flasim për fillimin e zbatimit praktik.

    Kryeministri Albin Kurti nuk ka dhënë ndonjë afat se kur do ta marrë një vendim të tillë, por ka thënë se këtë do ta bëjë pasi të marrë rekomandimet nga grupi punues që do të formohet nga Ministria e Tregtisë ku pjesë do të jenë organizata që merren me ekonominë dhe prodhuesit vendor. Prandaj me të drejtë shtrohet një pyetje serioze se a do të jetë heqja e taksës ndaj prodhimeve të Serbisë vendimi më i rëndë që e pretë qeverinë e Albin Kurtit dhe ballafaqimi i saj me kritikat e ashpra të opozitës?

    Nëse shkohet në këtë drejtim akoma pa plan konkret veprimi, sipas profesor Kelmendit ka rrezik që edhe qeveria e koalicionit LVV- LDK të vije në pikën kritike të detyrimit për një kompromis, sikur që ndodhi edhe me demarkimin e kufirit me Malin e Zi, një kurth i cili iu kurdis Qeverisë Haradinaj në koalicionin me PDK-në.

    Jeton Kelmendi

    Mendoj se çështja e reciprocitetit është një ndër elementet më thelbësore të demokracisë dhe mundë të jetë veprimi më normal që do të duhet të ndërmerret nga Qeveria e Kosovës ndaj Serbisë.

    Kjo masë është dashur të zbatohet që në atë kohën kur është vendosur taksa 100% nga ana e Qeverisë Haradinaj. Pikërisht në atë kohë është dashur të fillohet të zbatohet edhe reciprociteti.

    Ne është dashur që me të njëjtin mjet që na sulmon Serbia apo kushtet që i qet shteti serb ndaj Kosovës, të njëjtin veprim dhe të njëjtat kushte e barriera ti vendosim edhe ne.

    Kjo është natyra më normale e vendosjes dhe funksionimit të reciprocitetit në secilën fushë të jetës”, thotë doktor Jeton Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

    Kelmendi konsideron se deri më tani roli i taksës sado që është dukur dhe ka qenë pozitiv në fillim, ai është fare minor në raport me efektin që do ta kishte vendosja e reciprocitetit.

    Koalicioni LVV-LDK, tani kanë bërë disa javë që kurse kanë ardhur në pushtet dhe konsideroj se është dashur që pa vonesë ta fillojnë zbatimin e reciprocitetit, kurse po kjo qeveri është dashur menjëherë të përgatitet për fillimin e negociatave- dialogut duke e përgatitur edhe platformën e vetë që ta nxjerr atë në tavolinë dhe të mos mbetet në pikën fillestare duke deklaruar do të bëjmë ashtu e do të bëjmë kështu. duhen veprime konkrete”, shton doktor, Jeton Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

    Këto vonesa në ofrimin e planit për bisedime dhe zëvendësimit të tarifës me reciprocitet të ndërsjellët, sipas Kelmendit ka bërë që edhe gjatë qëndrimit të Albin Kurtit në Gjermani, ai nuk është takuar fare nga Përfaqësuesi Special i Presidentit amerikan Donald Trump, ambasadori Richard Grenell për negociata me Serbinë.

    Nuk ishte rastësisht që nuk u takuan Grenell dhe zyrtarët tjerë amerikan me Albin Kurtin në Gjarmani, prandaj unë po druaj që duke parë këtë zvarritje, të përgatisin SHBA-të një platformë të tyre të negocimit dhe të ofrojnë modelin e marrëveshjes sikur që vepruan edhe me çështjen e hekurudhave dhe të autostradave, kur i morën për të firmosur marrëveshjet njerëz që nuk ishin kompetentë dhe nuk kishin të bënin fare me ato çështje, kurse nga pala serbe morën të ashtuquajturin ministër serb për Kosovën, drejtorin e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, dhe i nënshkruan ato marrëveshje”, shprehet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

    Sipas tij, zvarritja afatgjatë e përgatitjes së planit të veprimit dhe platformës për dialog me Serbinë, ka rrezik që lidhur me këtë çështje, Qeveria Kurti të mbetet në pozitën e ish qeverisë Haradinaj, e cila u gjend para katit të kryer me Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi.

    Duke u pajtuar së bashku kryeministri zëvendësin e tij Fatmir Limaj që ta “shesin” tokën e Kosovës, prandaj mbeti vetëm VV-ja tash për tash si shpresa e fundit për ta ruajtur sado kudo interesin nacional të Kosovës.

    Nëse kjo Qeveri nuk është konsekuente dhe vigjilente, dhe nuk krijohet platforma paraprake me të gjitha detajet dhe pikat që nuk do të negociohen, mundë të përgatitet diçka e gatshme dhe të ju ofrohet në tavolinë duke ju thënë merreni ose lëreni.

    E nëse nuk e nënshkruan Kosova mundë të ketë pasoja akoma më të mëdha, por nëse e nënshkruan një marrëveshje që nuk është rezultat i platformës së mirë përgatitur, të dalë nga një proces i dialogut dypalësh, Kosova do të mundë të del humbëse.

    Politika kosovare tash e sa vjet rresht ka qenë vetëm duke qëndruar në pritje, ka pritur që çdo gjë ta bëjnë të tjerët për neve, sikur që e kanë bërë edhe me demarkacionin edhe me Gjykatën Speciale, e që është dashur domosdo ta nënshkruaj dhe ta zbaton Kosova”, deklaron Kelmendi.

    Kelmendi thotë nuk dëshiron ta sheh në një pozitë të njëjtë edhe Qeverinë Kurti, sikur kishte ndodhur me Qeverinë Haradinaj, sepse faktori ndërkombëtar, SHBA-ja do rezultate konkrete gjatë këtij mandati të presidentit Trump, prandaj Qeveria Kurti nuk duhet të kapet në befasi.

    Unë nuk do të dëshiroja që skenarët e njëjtë si Qeverisë Haradinaj ti ndodhin edhe kësaj Qeverie, e cila për ta ruajtur sado pak kredibilitetin do të mundë të arsyetohej duke thënë se kinse krejt kjo është pasojë e përgatitur nga ata që ishin në qeverisje para neve, se ne nuk patëm se çfarë të bëjmë ndryshe.

    Kjo do të shërbente kështu vetëm sa për ta ruajtur pak a shumë fytyrën e kryeministrit Albin Kurtit, por nga ana tjetër do të dëmtohet Kosova.

    Shpresoj që ky skenar të mos ndodhë sepse përndryshe po duket që i dërguari i Trampit z. Grenell është shumë i ashpër dhe mundë të ndodhë të imponohet edhe një gjë e tillë sepse Trump po dëshiron që me çdo kusht në këtë mandat të del më një sukses që do ti mbahet në mend atij në arenën ndërkombëtare”, thotë profesor doktor jeton Kelmendi për “Kosova Sot Online”.