U binden amerikanëve, PDK kërkon të hiqet taksa pa vendosur reciprocitet

    Lideri i PDK’së, Kadri Veseli, kishte marrë një kundërpërgjigje të ashpër nga emisari i Trump për dialogun, Richard Grenell, meqenëse i kishte kërkuar Albin Kurtit që të mos ngutej për ta hequr vendimin për taksë ndaj produkteve me origjinë serbe dhe boshnjake. Sipas Veselit ngutja e kryeministrit nënkuptonte dorëzim para Serbisë.

    Megjithatë duket se presioni amerikan ka kryer punë. Tashmë nga kjo parti kërkojnë heqje të taksës pa vendosur fare reciprocitet, raporton Gazeta Express.

    Një gjë të tillë e kërkon një prej zyrtarëve të lartë të PDK’së, Enver Hoxhaj, i cili thotë se edhe ka qenë propozues i vendimit për taksë.

    Heqja e taksës është kërkesë e SHBA’së. Richard Grenell e Sekretari Mike Pompeo e kërkojnë heqjen e tarifës 100 % me qëllim të rinisjes së dialogut.

    Shkrimi i plotë i Hoxhajt:

    Për tarifën

    Interesi shtetëror i Kosovës është i pandashëm me interesin nacional të SHBA-së. Qëllimi i jonë është përmbyllja e shtetndërtimit!

    Si anëtar i qeverisë që kam propozuar tarifën, sot mendoj që ajo duhet të largohet dhe të mos vendoset as reciprociteti! Tarifa ka qenë mjet dhe jo qëllim! Qëllimi i jonë është anëtarësimi i Kosovës në OKB dhe njohja ndërkombëtare! Tarifa ka qenë goditja jonë ndaj fushatës së Serbisë kundër njohjes së sovranitetit tonë!

    Çdoherë i kam besuar Amerikës dhe në asnjë mënyrë nuk duhet ta vëmë në pikëpyetje marrëdhënien e veçantë me partnerin më strategjik tonë dhe aleancën më të shenjtë! Hiqeni taksën dhe mos e vendosni reciprocitetin. Kërkesat dhe qëllimet tona përmbushen me mbështetjen e partnerëve tanë amerikanë e evropianë. Na duhet mençuri dhe vendosmëri për ta ngritë lartë flamurin e Kosovës në OKB, NATO dhe BE!